Mesfushori kosovar i Vllaznisë, Lorik Boshnjaku, ka rrëmbyer duartrokitjet e publikut shkodran për performancën e tij në ndeshjen e parë me fanellën kuqeblu. Ai ishte deçiziv disa herë në thyerjet e aksioneve të rumunëve dhe pas ndeshjes ndaj Universitateas së Kraiovës, fitoi edhe zemrat e tifozëve të Vllaznisë.

Në fushën e lojës, luajti si një “komandant”, duke “dirigjuar”, drejtuar dhe nisur çdo aksion të ekipit të tij. Boshnjaku, që në ndeshjen e parë zyrtare me Vllazninë, nxorri në pah super cilësitë e tij si futbollist. Kaq ka mjaftuar që të gjithë të mendojnë se Vllaznia ka bërë super goditje në merkato. Loriku ishte perfekt në çdo top që luajti dhe ishte luftarak për 90-minuta

Në ndeshjen ndaj Krajovës, Loriku dallohej qartë se është një futbollist shumë punëtor në fushën e lojës dhe tepër inteligjent në leximin e lojës. Padyshim një yll i skuadrës. Në çdo top të prekur prej tij, i jep shkëlqim lojës dhe tregoi që do jetë një artileri e rëndë e Vllaznisë në sezonin e ri.

Më shumë se askush për afrimin e Lorik Boshnjakut, duhet falënderuar pikërisht trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, pasi ishte ai që solli në Shkodër një futbollist të një niveli kaq të lartë, siç është mesfushori kosovar. Me bindje të plotë, Vllaznia dhe Shkodra kanë fituar një futbollist të jashtëzakonshëm…
Maringlen ZHIVANI