Dy sezonet e fundit, Vllaznia nuk ia ka dalë dot që të arrijë objektivin maksimal, siç ka qenë fitimi i titullit kampion. Edhe pse investimet në klub kanë qenë të mëdha, duke afruar futbollistë cilësorë dhe të mirëpaguar, sërish ekipi nuk ia ka dalë që të fitojë besimin e duhur.

Megjithatë, ky vit pritet të jetë ndryshe për Vllazninë. Në fakt, jo sa u përket objektivave, sepse ata janë gjithnjë titulli kampion dhe Europa, por mënyra se si do të operojnë, ku duket se kanë ndërruar kurs.

Kështu, pritet që stafit dhe futbollistëve aktual t’u jepet besim i plotë për të nisur një projekt afatgjatë me këtë klub dhe jo në përfundim të edicionit, të ketë ndryshime drastike. Jo më kot, kontratat janë të gjitha dy ose tre-vjeçare dhe për më tepër, kanë marrë futbollistë që nuk i kalojnë të 30-tat.

Shpenzimet nuk kanë qenë shumë marramendëse, por janë thithur futbollistë që premtojnë shumë. Gjithsesi, pritshmëritë janë sërish të mëdha, duke nisur nga ndeshja e kthimit në Rumani ndaj Universitateas së Kraiovës, sepse dy vitet e fundit shkodranët janë mësuar t’i japin tonin futbollit shqiptar.

Ndërkohë, përveç një plani më afatgjatë sa i përket grupit të krijuar, këtë sezon klubi ka pritshmëri të mëdha edhe te spikatja e futbollistëve, ndoshta për t’i shitur më pas dhe përfituar nga ana financiare. Një pjesë e mirë e futbollistëve janë në nisje të karrierës së tyre dhe shihen si të perspektivës, ku me paraqitjet e tyre mund të tërheqin vëmendjen e klubeve të huaja.

Në sezonin e parë të epokës Xhaferi, klubi shiti një sulmues si Ismael Dunga, që solli në arkat e klubit dikund tek 90 mijë euro. Megjithatë, sërish në Shkodër i konsiderojnë pak këto të ardhura, prandaj sezonin që vjen shpresojnë edhe për më shumë përfitime nga merkatoja në dalje.
Maringlen ZHIVANI