✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Sot duket se ka qenë dita e suprizave në ndeshjet e javës së dytë të kampionatit 5×5 Masters që po zhvillohet nën kujdesin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër dhe në partneritet me Shoqatën “Pro Sport”. Pas fitores të ekipit të OSHEE Shkodër ndaj atij të Veteranëve të Vllaznisë, ka ardhur edhe surpriza e dytë mbrëmjen e sotme.
Ekipi i Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër që u duk se nuk do kishte pretendime në këtë kampionat, ka mundur ekipin e Universitetit “Luigj Gurakuqi” që në pamje të parë konsiderohej shumë i fortë. Tatimorët e kanë mundur atë mbrëmjen e sotme me rezultatin 8-7 në fushën e kompleksit sportiv “Zmijani”.
Kanë qenë lojtarët e Universitetit ata që kanë shënuar dy gola të shpejtë me anë Marjo Bregut dhe Luçjan Pjetrit duke krijuar idenë se gjithçka ishte e lehtë për ta, por në fakt nuk do të ndodhte kështu. Tatimorët reagojnë dhe barazojnë shpejt duke shënuar me anë të Rubin Omarit dhe Gerhard Jahajt. Pjesa e parë do të mbyllej në shifrat e barabarta 2-2.
Në të dytën ka spektakël në të dy portat dhe po ashtu edhe shumë gola të shënuar, por në fund është ekipi i Drejtorisë Rajonale Tatimore që do të triumfojë me shifrat 8-7 teksa nuk do të mungojnë edhe dy golat e drejtorit të kësaj Drejtorit Agron Hasanaj, këtë herë në rolin e një futbollisti.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







