Vdekja e profesor Xhelal Jukës e ka hidhëruar jo pak atë. Nikoll Gjergji ndjen një keqardhje të madhe për humbjen e trajnerit të tij. I pranishëm në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të këtij kollosi të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, ish-futbollisti i Vllaznisë së viteve ’60- ’70 Nikoll Gjergji, për gazetën online www.shkodrasport.com, do të shprehej: “Xhelal Juka ka qenë një legjendë e futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Një futbollist kampion, por mbi të gjitha një trajner i paarritshëm. Puna e tij me ekipet e moshave të Vllaznisë ka lënë gjurmë të mëdha teksa nëpër duart e tij ka kaluar një numër i madh futbollistësh të ekipit kombëtar. Ka qenë një njeri i dashur, i qeshur gjithmonë, i cili pavarësisht halleve dhe problemeve të jetës së tij, asnjëherë nuk u përkul por punoi me shumë pasion dhe dëshirë për Vllazninë dhe futbollin shkodran”. Për Xhelal Jukën, mbresat dhe kujtimet janë të shumta. Vdekja e tij natyrshëm është një humbje për klubi Vllaznia, teksa ishte ndër të paktit futbollistë ende gjallë nga skuadra kampione e viteve 1945 dhe 46. Lojtari i ekipit kombëtare, i Vllaznisë dhe mbi të gjitha një trajner i madh.

www.shkodrasport.com