Trajneri i Vllaznisë Rudi Vata e konsideron ndeshjen e nesërme me Laçin si një test i mirë i skuadrës së tij edhe para ndeshjes shumë të rëndësishme ndaj Skënderbeut për kupë.Ai e vlerëson shumë kundërshtarin e nesërm, dëshirën e tij për të marrë pikë dhe është i mendimit se do jetë një ndeshje e hapur. “Ashtu si dhe ne, e kemi të qartë që edhe Laçi do kërkojë fitoren për pozitat e vështira ku ndodhet. Ai ka një ekip të mirë dhe mendoj se do jetë ndeshje e hapur. Edhe Vllaznia do hyjë në fushë për ta fituar ndeshjen dhe kuptohet do fitojë ai ekip që do tregohet më i saktë. Kjo ndeshje do të na shërbejë për të parë edhe veten se ku jemi para ndeshjes tjetër, shumë të rëndësishme që do luajmë mesjavën e ardhshme në Shkodër ndaj Skënderbeut për kupë”-ka thënë Vata për gazetën online www.shkodrasport.com para nisjes për në Fushë Krujë ku dhe ka kaluar natën sonte ekipi shkodran.

Me ekipin këtë rradhë ka udhëtuar edhe mesfushori malazez Nenad Brnovi♪5, megjithatë ai nuk do luajë nga fillimi por me shumë mundësi disa minuta në të dytën. Nga ana tjetër, lojtari andorian Moreno dy ditët e fundit ka kaluar një gjendje gripale dhe nuk është stërvitur me skuadrën, çka do të thotë se nuk do luajë në këtë ndeshje. Për Vllazninë marrja e qoftë edhe një pikë në takimin e nesërm, është shumë e rëndësishme sepse pozitat e saj në renditje, nuk janë dhe aq të mira. Fakti që është vetëm 6 pikë larg skuadrave që do shkojnë në play-out, tregon se nuk duhet lënë që situata të precipitojë nga java në javë. Për këtë arsye, duhet shpresuar tek marrja e një rezultati pozitiv në takimin ndaj Laçit, në mënyrë që ecuria e mëtejshme edhe në kampionat të jetë më e qetë. Çka do ta ndihmonte Vllazninë të ishte më e vendosur në pretendimet e saj në kupë pastaj, ku ka shanse më të mëdha për të pretenduar pse jo edhe fitoren e këtij trofeu.

www.shkodrasport.com