Kampionati kombëtar i boksit për të rritur ka startuar pasditen e sotme me ndeshjet e tij të ditës së parë. Në këtë ditë, në ringun e sallës “Fahrije Hoti” të kryeqytetit janë ngjitur edhe 7 boksierë të ekipit të Vllaznisë. Duhet thënë se performanca e tyre ka qenë shumë e mirë dhe 6 prej këtyre boksierëve i kanë fituar ndeshjet e tyre dhe vetëm njëri është mundur.

Kështu në finalen e peshës 49 kg Klevis Çela ka fituar Rifat Bajramit, ndërsa për peshën 56 kg Artion Shaqiri ka fituar ndaj Emiljano Nezës së Tiranës.

Për peshën 64 kg, Rexhildo Zeneli i Vllaznisë ka fituar ndaj Rudolf Matës së Apolonisë dhe po ashtu, po për këtë peshë, Riad Kunoshevci ka fituar ndaj Redon Osmeni të Flamurtarit.

Në ndeshjen e peshës 75 kg Arjon Kajoshi ka fituar ndaj Idriz Seferit të Tiranës dhe në peshën 91 kg Kristian Demaj ka fituar ndaj Denzel Koçit të ekipit Titans. E vetmja humbje për ekipin shkodran ka qenë ajo në peshën super të rëndë +91 kg kur Albert Kapaj është mundur nga Gelian Rojku i Teutës.

Ditën e nesërme, në ring për ekipin e Vllaznisë do të ngjiten tre boksierë pikërisht Riad Konushevci, Rexhildo Zeneli dhe Bekim Vjerdha.

Interesant është fakti që deri në ditën e finaleve, rivaliteti do të jetë shumë i madh në mes Vllaznisë dhe Tiranës dhe përballjet direkte të boksierëve të këtyre dy ekipeve në pesha të caktuara, do të jetë shumë përcaktues edhe për faktin se cili do të jetë ekipi kampion i Shqipërisë për vitin 2019.

Sipas rregullores, kampion do të shpallet ekipi që do të nxjerrë më shumë sportistë kampionë në peshat respektive dhe nëse mes dy ekipeve ka numër të barabartë kampionësh, atëherë në skenë dalin nënkampionët dhe kush të ketë më shumë prej tyre, do të marrë pastaj vendin e parë.
© shkodrasport.com