Kampionati botëror i boksit prej disa ditësh po zhvillohet në Beograd të Serbisë. Një nga ata që duhej të ishte i pranishëm në këtë Botëror ka qenë edhe Kristian Demaj.

Por, kampioni i boksit shqiptar nuk ka mundur të jetë pjesëmarrës për shkak të një gjendjeje jo të mirë shëndetësore. Ai mbrëmë foli në Star Sport për këtë kompeticion, por edhe për ndeshjen që do zhvillojë për kampion të Europës në dhjetor.

Demaj tha: “Botërori që po zhvillohet në Serbi realisht ka shkuar mirë vetëm për një sportist dhe ai është Alban Beqiri. Ai tashmë është në çerekfinale dhe shpresoj të renditet në zonën e medaljeve, pra ta kalojë edhe këtë raund. Do doja të isha pjesë, por një gjendje jo e mirë shëndetësore me ndaloi.

Gjithsesi unë po përgatitem fizikisht për ndeshjen për kampion të Europës që do zhvillohet në 4 dhjetor në Tetovë. Kundërshtari im ende nuk është zyrtarizuar, por unë po përgatitem çdo ditë për këtë ndeshje kaq të rëndësishme të karrierës sime.

Problematikat e boksit ? Janë ato të çdo hershmet. Ndonjëherë ka ndonjë kujtesë për këtë sport, e pastaj me kohë të gjata lihet fare në harresë. Kam ngritur zërin shpesh për mbështetje që rrallë ka ardhur. E them me keqardhje që sporti i boksit do shkojë drejt shkrirjes duke parë çdo problematikë që e rrethon”.
Endri ÇINARI