Pas ndeshjes spektakolare të zhvilluar javën e kaluar ndaj klubit Tirana, ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë do të ketë këtë javë një tjetër përballje shumë interesante. Mbrëmjen e së premtes, në orën 19.00, në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ai do të ndeshet me ekipin kryesues të kampionatit, Kamza Basket. Ndeshja do të jetë e vlefshme për kampionatin dhe pritet një sfidë shumë e fortë. Drejtuesit e Vllaznisë janë të bindur se mund t’ia dalin të mundin edhe skuadrën e cila nuk njeh humbje ende në këtë kampionat. Atmosfera në kampin shkodran pas ndeshjes me Klubin Tirana është rritur ndjeshëm dhe drejtuesit e shoqatës së basketbollit jo më kot, kanë vënë në dispozicion të tifozëve që duan të ndjekin këtë ndeshje në Tiranë, disa furgonë falas. Pritet që në “Asllan Rusi” të ketë jo pak tifozë shkodranë kësisoj për të mbështetur Vllazninë në kërkimin e fitores. Natyrisht që është një ndeshje e cila nuk vendos për fatin e titullit kampion megjithëse ndeshen skuadra e vendit të parë me atë të vendit të dytë sepse diferenca mes tre pikësh nuk lë vend për këtë gjë. Megjithatë, skuadra shkodrane e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj do ketë mundësinë të testojë veten nëse mund ta kalojë këtë skuadër në ndeshjet e ardhshme të plej-ofit. Ardhja e katër basketbollistëve të huaj, e ka rritur shumë forcën e kuebluve që kërkojnë të kthejnë titullin kampion në Shkodër pas shumë vitesh. Mundësitë janë sepse skuadra ka bërë një paraqitje shumë të mirë deri tani megjithatë duhet parë edhe në ballafaqimet e fundit nëse do të mundet të kalojë edhe ekipin e Kamza Basket apo jo.
Gjergj KOLA