Kamza ka afruar sulmuesin meksikan, David Izazola, i cili mbetet për t’u parë se çfarë niveli ka, por në të njëjtën kohë nga ekipi është larguar një prej lojtarëve më të rëndësishëm i dy sezoneve të fundit, pikërisht mbrojtësi i djathtë, Erlis Frashëri. Drejtuesit e klubit janë vendosur në kërkim të dy mbrojtësve, ndërsa dilema të mëdha ka për qëndrimin e vlonjatit Hektor Idrizaj, i cili kërkohet nga Partizani.
Trajneri Ernest Gjoka mësohet se preferon qendërmbrojtësin lezhjan të Vllaznisë, Renato Malota, por ky i fundit është nën kontratë me shkodranët dhe nuk ka garanci për afrimin. Mirëpo, duke qenë se Partizani do nga Kamza mbrojtësin Idrizaj, burime në klub tregojnë se është hedhur një ide mes palëve.
Kamza interesohet për mesfushorin e krahut të Partizanit, Eraldo Çinari dhe nëse të kuqtë duan me ngulm Idrizajn, atëherë duhet ta këmbejnë me shkodranin. Gjithsesi, janë ende ide merkatoje, pasi nga palët nuk ka një konfirmim.
E sigurt është për momentin që Idrizaj kërkon të largohet drejt Partizanit, por presidenti Qarri nuk mund të lëshojë pa dëmshpërblim vlonjatin, për më tepër që nga reparti i mbrojtjes ka ikur Frashëri.
Objektivi kryesor është gjetja e një qendërmbrojtësi dhe për këtë po tentohet në disa drejtime, me lojtarë nga kampionati ynë dhe nga ai i Kosovës.
Vlen të theksohet se dje skuadra ka nisur përgatitjet në Tiranë me vrapime nga Kodrat e Liqenit. Tashmë pritet të saktësohet edhe nisja drejt Italisë për fazën përgatitore në Itali, ku pritet të luhen edhe miqësore luksi.