Kapiteni i Egnatias, Gëzim Krasniqi, u bën apel skuadrave të Superiores që të luajnë ndershëm deri në fund dhe të shmangin tolerimet për të mos prishur garën.

Duke qenë se lufta për mbijetesë po bëhet gjithnjë dhe më e egër, mbrojtësi me shumë eksperiencë, në një bisedë për “Panorama Sport”, tregon se i druhet jo pak tolerimeve që mund të bëhen ndaj rivalëve të Egnatias në këtë pjesë të fundit të kampionatit.

“Në çdo fillim gare, secili klub ka objektivat e tij, ku dikush i arrin në kampionat dhe dikush në Kupë. Kur i ke arritur ose je pranë tyre, jo pak herë ka ndodhur që të tolerojnë ekipet kundërshtare. Egnatia, nga ndeshja e parë dhe deri më sot, ka luajtur ndershëm, duke pranuar me sportivitet çdo rezultat, edhe atëherë kur gjyqtarë të ndryshëm na kanë penalizuar pa të drejtë. Në këto kushte, apeloj te të gjitha ekipet, që javët e mbetura t’i luajnë ndershëm.

Pra, të jenë me të gjithë njësoj, pavarësisht nevojave për pikë apo shkëmbim nderesh. Ne do të luajmë deri në fund me gjithë forcat tona, duke besuar fuqishëm vetëm te futbolli i ndershëm”, është shprehur fillimisht për gazetën qendërmbrojtësi i skuadrës rrogozhinase.

VLLAZNIA – Krasniqi është ndalur më tej te përballja e nesërme me Vllazninë, që do të luhet në stadiumin “Arena Egnatia” në orën 13:45. Mbrojtësi është i bindur se fitorja mbetet detyrim dhe jo dëshirë për Egnatian.

“Vijmë pas dy ndeshjesh me Teutën e Partizanin, ku morëm vetëm një pikë, duke lejuar Kastriotin, Dinamon dhe Skënderbeun të na afrohen. Jemi ne që duhet të reagojmë me detyrim ndaj Vllaznisë, pasi presidenti Agim Demrozi, me plot të drejtë na kërkoi vetëm fitore në javët që vijnë. Tek Egnatia nuk flitet për paga apo ku ta di unë, pasi gjithçka funksionin si klub profesionist.

Madje, e them hapur që presidenti na ka toleruar më shumë sesa duhet. Në radhë të parë për detyrimet tona ndaj klubit, por edhe tifozëve tanë, do të hyjmë në fushë ndaj Vllaznisë vetëm për fitore. Do të mungojë Allmuça, por rikthehen dy lojtarë me eksperiencë si Agbekpornu dhe Krivanjeva”, u shpreh Krasniqi.

Gjithashtu ai shtoi dhe pjesën se çfarë i kanë penalizuar rrogozhinasit: “Egnatia nuk ka vuajtur asnjëherë për të paraqitur lojë të bukur, por as nga shpirti i garës. Ajo që na ka penalizuar ka qenë mungesa e saktësisë para portës. Nuk mbaj mend një takim ku Egnatia të mos ketë krijuar të paktën 2-3 raste ideale goli.

Duke nisur që nesër, çdo rast i humbur do të thotë humbje pike, pasi kundërshtarët nuk të falin. Uroj që të shënojmë sa më shpejt, pasi nuk dyshoj për asnjë moment që Egnatia do ta dominojë Vllazninë në fushë”, përfundoi kapiteni.