Hasan Lika, ish-trajner i Partizanit për disa vite, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke bërë një analizë për sezonin e klubit të kuq.

62- vjeçari ka rezerva për merkaton e “demave”, teksa flet edhe për lojtarë që po bëjnë mirë te të kuqtë, si Skuka apo Cara.

Ku gaboi Partizani që nuk arriti të jetë në garë për titullin kampion, i cili ishte objektivi në nisje të sezonit?

Janë disa skuadra në Shqipëri që gjithmonë ndërtohen për të fituar titullin kampion dhe Partizani sigurisht është pjesë e tyre. Të kuqtë, Tirana dhe Vllaznia është më se normale të kenë pretendime, sepse edhe lojtarët që i afrojnë vijnë me mendimin se janë më të mirët dhe janë të aftë ta nxjerrin skuadrën kampione.

Merkatoja dhe lojtarët që kanë ardhur nuk kanë qenë të duhurit dhe nuk është merkato e mirëstudiuar. Ky është një faktor i rëndësishëm, sepse duke qenë se vijnë shumë lojtarë dhe një pjesë e madhe e tyre nuk aktivizohen, nuk është aspak pozitive dhe pasohet nga problemet. Që të dalësh kampion, nuk mund të dalësh vetëm nga emri, por duhen lojtarë, që të jenë më të spikaturit e futbollit shqiptar për momentin. Kështu që te Partizani mungojnë këta futbollistë.

Në fakt erdhën disa lojtarë që kishin bërë mirë sezonin e shkuar. Gjithashtu u bashkua Ergys Kaçe, ish-lojtar i Kombëtares…

Ish-lojtar, është ndryshim i madh midis fjalës ish dhe është. Nuk mendoj se Partizanit ka marrë lojtarët më të mirë të futbollit shqiptar. Partizani ia dha mundësinë Kaçes, por ai nuk arriti të shprehej. Nuk bëri atë që Partizani priste dhe vetë ai donte të arrinte.

A e ndihmon Partizanin fakti që Vllaznia nuk është në një moment të mirë dhe sapo kanë shkarkuar trajnerin?

Partizani duhet të kapë finalen dhe ta fitojë Kupën, sepse është mundësia më e mirë për t’u kualifikuar në Europë. Në kampionat është pak i larguar, pavarësisht se ka kohë dhe mundësi, por Kupa është rrugë më e shkurtër. Gjithsesi,, që Partizani të mund ta shfrytëzojë. Të dyja skuadrat janë të forta dhe kështu do të jenë edhe përballjet mes tyre.

Pse bën kaq shumë ndryshime në lojtarë Partizani?

Në fakt, nuk e di cila ka qenë politika e klubit me lojtarët e marrë apo të larguar. Me aq sa mund të dalloj unë, ka pasur një ndërthurje midis lojtarëve me eksperiencë dhe të rinjve. Nëse është kjo politikë, është pozitive, sepse mendohet edhe për të ardhmen. Mund të mendohet që aktualisht të arrihet Europa dhe në të ardhmen ekipi të krijojë qëndrueshmëri dhe të ketë një të ardhme stabël. Mund të jetë edhe kjo, por kjo do kohën e saj.

Pse ka kaq shumë të huaj që dështojnë te “demat” dhe a ka ndonjë të ri, nga i cili Partizani mund të përfitojë financiarisht?

Është e vështirë të presësh nga të huajt të kontribuojnë kaq shpejt. Ka disa lojtarë të rinj, që kanë ardhur nga akademia e kuqe dhe nga akademitë e tjera, që janë të rinj dhe kanë të ardhme për karrierën e tyre, por edhe për t’i shërbyer Partizanit. Një nga ata është Cara.

Rikthimi i Herald Markut është gjithashtu pozitiv, sepse ai është lojtar i rritur në akademinë e kuqe. Edhe Kallaku është rikthim, por pres pak më shumë nga ai. Ka ardhur momenti që Kallaku të shprehet më mirë, sepse u bë një kohë e mirë që po luan te Partizani. Është momenti për ta ndihmuar.

Si e komentoni barazimin me Egnatian?

Ndaj Egnatias, ashtu siç shkoi ndeshja, mund të themi se ishte rezultat pozitiv barazimi, për edhe vetë mënyrën se si erdhi. Mund t’i shërbejë në të ardhmen. Të mos harrojmë se ndeshjen e parë me Egnatian, Partizani e ka humbur. Egnatia rezultoi të ishte kundërshtar mjaft i fortë për Partizanin.

Partizani po vuan në derbet e fundit që të fitojë, pavarësisht se më parë e mbajti Tiranën 6 vite pa triumf. Çfarë ndikon?

Tirana është e fortë. Këtë duhet ta pranojnë të gjithë. Tirana është ekip shumë i mirë, ka diferencë me të tjerët, vetë ecuria e saj dhe ndeshjet, që kanë zhvilluar. Gjithsesi, kur vihen përballë Tirana dhe Partizani, pavarësisht ecurisë, mendoj se Partizani do të vazhdojë të jetë përpara gjithmonë me fitore. I duhet shumë kohë Tiranës të arrijë Partizanin në këtë aspekt.

Si ju duket Partizani nën drejtimin e Dritan Mehmetit?

Mua më ka pëlqyer loja e Partizanit në këto ndeshje. Ka qenë pozitive, pati një impakt të menjëhershëm si në lojë dhe në rezultate, pavarësisht se në ndonjë ndeshje jo gjithçka ka shkuar siç duhej. Gjithsesi, mund të them se është pozitive dhe Mehmeti është një djalë, që prej kohësh kontribuon për klubin dhe është gjithmonë pranë Partizanit në role të ndryshme dhe mendoj se po punon mirë.

Mehmeti ishte trajner i skuadrës U-21, por ende nuk i ka dhënë mundësinë lojtarëve të rinj të debutojnë. Pse mendoni se ka ndodhur?

Një trajner kur e merr skuadrën në të tilla pozita siç ndodhej Partizani, mendon fillimisht të marrë rezultatet dhe të rrisë lojën e skuadrës. Më pas gradualisht mund të vijnë objektivat e tjera në planin e strategjisë së klubit.

Unë mendoj se fillimisht është koha të dilej nga ajo situatë, megjithëse nuk ka përfunduar asgjë, sepse është në lojë për Kupën dhe Europën. Gjithçka është në lojë, sepse ndonjëherë e kemi kapur kur ishim larg dhe ndonjëherë e kemi humbur kur kemi qenë pranë objektivit. Partizani duhet të ketë besim, sepse kjo e ka karakterizuar gjithmonë këtë klub.

Xhuliano Skuka po bën shumë mirë. Keni një koment për të?

Unë personalisht Skukën e kam parë në një ndeshje kur aktivizohej me Korabin kundër Vllaznisë, që unë drejtoja atëherë. Në atë kohë më ka rastisur të bisedoj me trajnerët e Korabit dhe kam thënë se ky është një djalë, që mund të luajë me sukses në Kategorinë Superiore.

Dhe mendoj se ai mund të vazhdojë me sukses te Partizani. Është rritur dhe më pëlqen profili i tij si futbollist. Mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë për majën e sulmit të Partizanit.