Klubi i Laçit ka paditur në KAS-in e Lozanës turqit e Menemensporit, pasi nuk është dëmshpërblyer nga këta të fundit për transferimet e portierit Gentian Selmani në verën e vitit 2019 dhe mbrojtësit David Domgjoni në janar të 2020-ës.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se pas ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, seanca ku janë të përfshira Laçi, Menemenspori dhe FIFA, do të zhvillohet më 13 prill.

Klubi bardhezi mësohet se pretendon rreth 150 mijë euro në total nga këto dy transferime, në një kohë që në ndryshim nga marrëveshja që ka bërë me turqit, deri më tani nuk ka përfituar asgjë.

Portieri Selmani ishte i pari që u shit te klubi i Ligës së Parë turke, e më pas edhe kosovari Domgjoni. Të dy tashmë nuk janë më pjesë e Menemensporit, por aktivizohen respektivisht te Boluspori dhe Termalica.

Laçi ka pritur për shumë kohë që turqit të respektojnë akordin për dy lojtarët, por duke qenë se diçka e tillë nuk ka ndodhur, tashmë i janë drejtuar KAS-it të Lozanës.

Më 13 prill palët do të dëgjohen për pretendimet që kanë dhe më pas do të merret një vendim përfundimtar. Laçi pret ekzekutimin e marrëveshjes, ndërsa Menemenspori ka nxjerrë pretendime të tjera për transferimet e lojtarëve.

Gjithsesi, kurbinasit kanë bërë këtë hap, pasi janë të sigurt se kaun të drejtë dhe turqit duhet të derdhin 150 mijë euro.