Egnatia do presë Vllazninë në javën e 26-të të kampionatit. Takimi që do luhet nesër në “Arena Egnatia” të Rrogozhinës në orën 13:45 parashikon një duel të fortë mes dy skuadrave. Të besuarit e Zekerija Ramadanit vijnë pas një barazimi 2-2 në javën e fundit kundër Partizanit. Aktualisht rrogozhinasit janë në vendin e 8-të të renditjes.

Ku kanë grumbulluar 24 pikë në 25 javë të kampionatit të zhvilluara deri më tani. Ky vend në klasifikim e mban aktualisht Egnatian në vendin e play-off për qëndrimin në Superligë. Duket se eksperienca e disa lojtarëve po ndihmon aktualisht ekipin rrogozhinas që po lufton për mbijetesën në kampionat.

Trajneri Ramadani edhe kundër Vllaznisë duket se do e besojë ndeshjen tek futbollistë me përvojë si Ndriçim Shtubina apo edhe Demir Imeri. Ish-kapiteni i Vllaznisë, Shtubina realizoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Partizanit. Por gjithashtu ka treguar edhe një nivel të mirë futbolli në javët e fundit duke qenë një ndër protagonistët kryesorë të skuadrës.

Po ashtu edhe ish-mesfushori i Vllaznisë, Imeri është një ndër futbollistët kryesorë të skuadrës. Edhe në takimin nesër kundër kuqebluve Ramadani pritet ti besojë ish-dyshes së shkodranëve që do përpiqen të “dëmtojnë” Vllazninë.
Endri ÇINARI