Ditën e djeshme, Kombëtarja e fermave mësoi rivalet e grupit të saj për kualifikueset e Botërorit “Australi-Zelandë e Re 2023”, short ku nuk munguan rivalë të fortë si Polonia dhe Belgjika, por dhe përfaqësuesja e Kosovës.

Në një prononcim për fshf.org, trajneri i Kombëtares kuqezi të femrave, Armir Grima u shpreh se ky është një grup i vështire dhe se kishin nevojë për pak fat, por do të vazhdojnë të luftojnë për të bërë një përfaqësim sa më dinjitoz.

“Të them të drejtën nuk është se jam shumë i kënaqur me shortin, prisja mbase të kishim më shumë fat sa i përket rivalëve që do të kishim përballë në këto eliminatore. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të përpiqemi për të bërë maksimumin tonë dhe për të qenë sa më prestigjiozë në përfaqësimin tonë në këtë grup.

Të gjithë kundërshtarët janë shumë të fortë, janë skuadra që pretendojnë të marrin pikë dhe unë besoj dhe jam i bindur që ne do të bëjmë një përfaqësim më të mirë se në eliminatoret e kaluara.

Na pret një punë e madhe, na pret një punë shumë e vështirë në mënyrë që të përfaqësojmë me shumë sukses jo vetëm kombin tonë, por edhe futbollin e femrave, që po njeh vetëm rritje me punën e madhe që po bën Federata Shqiptare e Futbollit për ta zhvilluar sa më shumë futbollin e femrave. Kështu që ne duhet të jemi lokomotiva që do t’i paraprijë këtij zhvillimi”