Kapiteni i kuqebluve, Erdenis Gurishta, ka folur për eliminimin nga Konferencë Liga, por edhe nga ajo që pret nga Vllaznia e sezonit të ri. Në një intervistë ekskluzive pwr “Panorama Sport” ai ka vënë në dukje aty ku edhe gaboi skuadra. Sipas tij, skuadra në tërësi duhet që të kishte guxuar më tepër në manovrën sulmuese. Ndërsa ka shprehur besimin se kjo skuadër do të luftojë për trofeun e kampionit.
Si i vlerësoni përballjet e Vllaznisë në Konferencë Ligë?
Ndeshja e parë në Shkodër ishte pozitive deri diku për ne. Në Rumani ai supergol i tyre e zhbllokoi ndeshjen. Deri në ato minuta kundërshtari e kishte shumë të vështirë të na depërtonte. Ndoshta duhet të guxonim më shumë në Shkodër dhe të tentonim fitoren, por gjithsesi niveli i kundërshtarit ishte i lartë që të jemi realiste në atë që themi.
A besonit që mund të kualifikoheshit?
Të them të vërtetën ndeshjen në Rumani e prisja pak më ndryshe, duke u mbrojtur mirë do të kishim mundësitë tona për kundërsulm, por kundërshtari i kishte marrë masat dhe ndeshja nuk shkoi ashtu siç mund ta kishim menduar.
Çfarë nuk shkoi në këto dy takime. Ku duhet të rikuperojë më shumë Vllaznia për sezonin e ri?
E rithem që ndoshta duhet të guxonim më shumë dhe duhet të kishim më tepër besim te vetja jonë.
A ka sipas jush Vllaznia nevojë për përforcime për sezonin e ri?
Stafi teknik dhe presidenca po punojnë në këtë aspekt. Ne kemi për detyrë që të punojmë shumë brenda fushës së stërvitjes e asaj të lojës. Të përmirësohemi dhe të tentojmë gjithmonë maksimumin.
Si e shihni Vllazninë e sezonit të ri?
Për sezonin e ri kemi edhe tri javë kohë. Do të jenë edhe tri javë me shumë përgatitje që do të na ndihmojnë për vazhdimësinë. Pa diskutim një Vllazni shumë të fortë dhe një Vllazni të bukur në fushën e lojës.
A ka potencial kjo Vllazni të jetë konkurruese për titull në sezonin e ri?
Ekipi ka potencial të luftojë dhe të jetë konkurrues për sezonin e ri në të gjitha frontet. E rëndësishme është që këto 3 javë të mbetura përpara fillimit të kampionatit, mos të kemi dëmtime lojtarësh dhe ata lojtarë që s’janë në ritmin e duhur të kapin formën e tyre më të mirë në mënyrë që ekipi të jetë i plotë dhe i fortë.
Titulli do të jetë një objektiv në këtë sezon?
Në 2 vitet e fundit fituam 2 kupa dhe tani mendoj që ka ardhur momenti për diçka më të madhe që është titulli kampion.
(Marre nga panorama sport)