Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, shprehet i keqardhur që skuadra la dy pikë në fund ndaj Partizanit duke i lënë paksa terren kundërshtarit. Pas ndeshjes, për mediat ai u shpreh se gjithsesi nuk kanë ndërmend t’i qajnë këto pikë, por të shohin përpara.

“Normalisht që të vjen pak keq që erdhi barazimi në minutat e fundit. Djeg, sepse luftuam shumë që ta mbanim trepikëshin, por kështu ishte e shkruar dhe nuk kemi pse t’i qajmë këto pikë. I liruam pak terren Partizanit, por kjo erdhi si rrjedhojë e rezultatit ngaqë ishim 1-0 në fitore.

Ndoshta pak më shumë se ç’duhet i dhamë terren, por kështu është futbolli. Fundi i pjesës së parë? Kishim pretendime për atë aksion sepse ishte një kundërsulm. Lojtari u nis tek për tek me mbrojtësin e tij, por arbitri na tha që loja kishte mbaruar, ndaj nuk ka pse të krijohen polemika”, deklaroi fillimisht mbrojtësi i Vllaznisë.

PRITSHMËRITË

Në lidhje me pritshmëritë, ku shkodranët kanë marrë pesë pikë në tri ndeshje, Gurishta pohon se i kanë marrë ndaj kundërshtarëve direkt, ndaj duhen vlerësuar. Gjithsesi, sipas tij, ka pasur vend për më mirë, duke qenë se në dy takimet e fundit i kanë lënë pikët në fund. Sa i përket kampionatit, ai e sheh edhe më të fortë se viti i kaluar.

“Tri ndeshjet e para i kemi pasur shumë të vështira, me tre pretendentë. Nuk janë keq pesë pikë, por duke pasur parasysh se si i kemi marrë them se nuk jemi të kënaqur, pasi edhe me Teutën i kemi lënë dy pikë, me Partizanin lamë sërish dy pikë në fund, ndaj duhet të punojmë më shumë dhe këto pikë të humbura t’i rikuperojmë.

E kam thënë që ketë vit do të jetë një kampionat shumë i fortë sepse shumë skuadra janë pretendente. Nuk dihet se kush do të jetë në Europë dhe jashtë saj. Të gjitha ekipet janë forcuar dhe besoj do të jetë një kampionat shumë interesant deri në fund, pastaj të shikojmë”, përfundoi Gurishta.