“Vllaznia duhet të jetë e kënaqur me barazimin ndaj Partizanit sepse në fund të fundit luante në transfertë dhe për me tepër ndaj një ekipi rival”. I këtij mendimi është analisti Redi Jupi.

Gjatë emisionit “Procesi Sportiv” ai i ka bërë një analizë të hollësishme lojës së kuqebluve, për të cilët mendon se sivjet kanë një skuadër më të mirë sesa vjet.

“Partizani nuk duhet të ketë dalë i kënaqur me atë barazim në ndeshjen e fundit, nisur edhe nga pozitat që ka në renditje, ndërsa për Vllazninë ishte ok sepse në fund të fundit, luante në transferë, ndaj një rivali direkt, pra nuk mendoj se ishte një rezultat i keq për të.

Ndërsa në aspektin e lojës të dy skuadrat duhet të jenë të kënaqura sepse kanë marrë konfirmime shumë të rëndësishme. Sivjet Vllaznia është një skuadër më e kompletuar, ka më shumë zgjedhje, ka një sulmues më të mirë përpara.

Ka Latifin që është një lojtar kapriçioz, pak i brishtë, por është lojtar shumë cilësor që në momente të caktuara, madje në një gjatësi kampionati, të jep një garanci të golave të shënuar, të aksioneve të nisura prej këmbëve të tij për një skuadër që ka objektiva. Vllaznia ka marrë një konfirmim të rëndësishëm se ka një skuadër më të mirë se vjet”- ka thënë Jupi./SHKODRA-SPORT.COM/