Dita e sotme eshte e veçante per ish- atletin dhe ish- gjimnastin kampion Bashkim Paçrami. Ai bashkë me njerëzit e tij të dashur do te festoje ditëlindjen sepse pikerisht sot mbush ka mbushur 79 vjeç. Ka lindur pra më 10 shtator 1943 në Shkodër, në një familje që ishte sportive, ngaqë babai i tij- Alia ka qenë futbollist i Vllaznisë në vitet ’30 dhe që vazhdoi edhe më pas të bëhej edhe më shumë sportive sepse edhe pjestar të tjerë të saj do të merreshin me sport.

Bashkimi e ka nisur me gjimnastikën duke arritur nivele të lartë sepse ishte shumë i aftë dhe i përgatitur. Ai do të merrte pjesë në disiplinën e 6-garëshit gjimnastikor, pikërisht në vitet 1959-60. Ekzekuton me mjeshtëri ushtrimet në unaza dhe kalë me doreza ku fiton dhe kategorinë e parë sportive.

Në vitin 1961 vendos të lërë gjimnastikën dhe i përkushtohet sportit të atletikës. Gara e tij e preferuar ka qenë ajo e kërcimit me shkop ku jep gjithnjë më të mirën. është rekordmen për të rinjtë në vitet 1961 dhe 1963, rekordmen edhe më të rriturit në vitin 1965 në Tiranë ku me shkop metalik arrin të kërcejë 3.75 metra.

Po ashtu është edhe rekordmen i vendit në garën 4 x100 m me kohën 42″2. Garon edhe në 100 metërsh dhe është ndër më të mirët e Shqipërisë duke konkurruar me emra të tillë si Tomi Stefallari i Korçës, Çlirim Balluku i Dinamos, Besim Qyqja i Tiranës, Rasim Kraja i Vllaznisë etj, të gjithë këta atletë të kombëtares shqiptare dhe anëtarë të ekipit kombëtar. Edhe Bashkimi arrin normën në 100 metra me kohën 10″7 dhe shpallet “Mjeshtër Sporti”.

Pas vitit 1970 tërhiqet nga sporti për arsye shëndetësore por vazhdon të jetë i lidhur me të sepse jep mësim në shkollat e qytetit të Shkodrës si specialist gjimnastike dhe atletike. Bashkim Paçrami është nderuar nga Bashkia e qytetit me titullin “Nderi i sportit shkodran”. Një njeri që meriton respekt nga të gjithë dhe jo vetëm për këtë. Familja Paçrami i ka dhënë shumë sportit shkodran.

Ali Paçrami, babai i Bashkimit, ka qenë futbollist. E motra e Bashkimit- Safeti, ka qenë atlete, i vëllai- Fatmir, futbollist i Vllaznisë dhe “Mjeshtër Sporti” dhe më pas, edhe Blerina, e bija, do të ishte një gjimnaste shumë e mirë. Jo vetëm kaq. Edhe dhëndërri i Bashkimit- Brahim Syka, ka qenë një nga çiklistët më të mirë të Shqipërisë.

Më 24 qershor te ketij viti, Presidenti i Republikes Ilir Meta e nderoi me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit te Flamurit”, pikerisht per shkak te kontributit te tij te madh ne sport.

Për të gjitha këto, ai ka pse të krenohet në këtë përvjetor të lindjes së tij. Natyrisht edhe Shkodra ka pse t’i urojë edhe ditëlindje të tjera. Njëkohësisht edhe Gazeta “SHKODRA SPORT” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura Bashkimit!
Gjergj KOLA