Vllaznia në basketboll arriti të kapë finalen e kampionatit ku do ketë përballë Teutën me suksesin që pati kundër Tiranës ditën e shtunë. Kapiteni i ekipit, Robert Shestani i ftuar në Star Sport foli për fitoren kundër bardhebluve, emocionet, por edhe qëllimin për ti shkuar garës deri në fund.
Shestani u shpreh: “Ishte me të vërtetë një fitore emocionuese kundër Tiranës në Shkodër. I kemi mundur pastër me rezultatin 2-0 për të arritur finalen tashmë. Neutralizuam në mënyrën më të mirë lojtarin e tyre kryesor që është Hysenagolli dhe arritëm suksesin. Një mbështetje të jashtëzakonshme na dhanë edhe tifozët e mrekullueshëm që do i falenderoj pa masë.
Kemi përmirësuar shumë nivelin tonë të mbrojtjes në këtë periudhë dhe uroj që ta mbajmë këtë ritëm. Tashmë jemi vetëm në gjysmën e rrugës pasi kemi arritur vetëm finalen.
Shumë na kanë konsideruar si surprizë, por ekipi ishte i ndërtuar që në fillim për gjëra të mëdha. Në uljet e ngritjet tona ndikuan ndërrimet e trajnerëve, largimet e disa basketbollistëve apo edhe ndërrimi i presidencës.
Tashmë duam që ta përfundojmë me sukses dhe të sjellim titullin në Shkodër. Një qytet dhe tifozeri që meriton të gëzohet nga ana e të gjithëve”.
Endri ÇINARI