UEFA po përballet me një situatë shumë të komplikuar në këtë periudhë. Nga një anë, me vështirësi po arrin të bindë vende të ndryshme që të përfundojnë kampionatet përkatëse. Por nga ana tjetër po sheh se sa u përket aktiviteteve ndërkombëtare, ligjet në fuqi nuk lejojnë zhvillimin edhe aq normal të sfidave që kishte planifikuar ajo për këtë verë, ku po përpiqet me çdo kusht të mbajë gjallë Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës.
Një shqetësim madhor është ai i Francës, ku kampionati është mbyllur e ku Olimpik Lion e PSG janë në garë në Ligën e Kampioneve. Të dy skuadrat janë gati edhe të përgatiten e luajnë në fushë kundërshtare nëse është e nevojshme për të vazhduar në këtë turne.
Shqetësim më vete është ai i Spanjës, ku shteti insiston që çdo person që vjen nga jashtë për arsye pune, ku përfshihet edhe futbolli, është i detyruar t’i nënshtrohet karantinës dhe kjo paarshikohet të zgjatë edhe gjatë verës, duke vënë në dyshim mundësinë që të luhen në Spanjë ndeshjet e kompeticioneve ndërkombëtare ku në garë janë Atletiko Madrid, Real Madrid, Barcelona, Getafe dhe Sevilja.
Ndërkohë, një kokëçarje e madhe është kthyer Italia. Autoritetet vendase hezitojnë t’i hapin dritën e gjelbër futbollit në vend, edhe pse kanë lejuar stërvitjet individuale.
Nëse shteti italain vendos si ai francez që të ulë qepenin për këtë edicion, shqetësimi do të ishte edhe më i madh për UEFA-s, pasi në garë janë emra me peshë ndërkombëtare si Juventus, Inter, Napoli, Atalanta e Roma dhe mungesa e tyre në vijimin e Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës, do të bënte të pamundur vijimësinë e këtyre dy aktiviteteve. /vipsport