Fakti që momentalisht shtatë lojtarë të Egnatias janë me tre kartonë të verdhë dhe vetëm një hap larg rrezikut të skualifikimit të tyre për një ndeshje radhe, duket sikur sjell një “presion” krejt të panevojshëm. Pikërisht në një realitet të ri që solli fitorja shumë e çmuar në Laç, e cila ndërpreu serialin e pesë ndeshjeve pa fitore.
STATISTIKAT – Duket qartë se që nga faza e parë ku pati 26 ndëshkime për lojtarët rrogozhinas, vetëm dy më pak se Kastrioti, faza e dytë solli një përmirësim të vogël, duke u bërë ekipi me më pak kartonë të verdhë (18), por u ndëshkua me 2 të kuq.
E habitshme, që në 3 javët e para të fazës së tretë, Egnatia ka grumbulluar më tepër ndëshkime, 14 të verdhë gjithsej dhe asnjë të kuq, duke pasur kuotën më të lartë se çdo skuadër tjetër në javët 19-21. Egnatia po vijon çuditërisht po me këtë “avaz”. Themi kështu se veçmas futbollistëve, kartonë në këtë fazë (dy të tillë) ka marrë edhe trajneri Edlir Tetova.
Natyrisht kontrolli më i mirë i nervave, përtej detyrimit që ka çdo futbollist për luftën sportive korrekte e burrërore, një normë, sigurisht e rëndësishme, është dhe ruajtja e “fair play”-it. Edhe pse Egnatia nuk dallon si skuadër për lojën e rëndë, e aq më pak të dhunshme, vetë shifrat e ndëshkimeve, ndoshta duke e parë veten po dhe nga të tjerët si ekip “të vogël”, ka ndikuar ndoshta edhe te gjyqtarët, të cilët i nxjerrin nga xhepi pa siklet kartonët e tyre ndëshkues.
MË TË RREZIKUARIT- Janë shtatë futbollistë që kanë “ndezur dritën e kuqe” për ndëshkimet e tyre të radhës, çka ka rrit “alarmin” që të tregohet më shumë kujdes e vetëpërmbajtje në fushën e lojës. Të rrezikuar për skualifikim nëse ndëshkohen me Vllazninë janë: Atanda, Zejnullai, Kacbufi, Sherri, Malota, Mëllugja dhe Paulauskas.