Kohët e fundit kanë qarkulluar zëra të ndryshëm për ardhjen e sponsorëve të rinj në krye të Vllaznisë. Fillimisht ka qenë ish- presidenti i saj Valter Fushaj ai që u shfaq në media dhe deklaroi se ishte i gatshëm të merrte drejtimin e klubit nëse Bashkia do ia kërkonte një gjë të tillë, veçse me një kusht: raporti i financimeve në klub të ishte 51 me 49 në favor të tij. Pas kësaj deklarate, nga ana e Bashkisë askush nuk u përgjigj. Në njëfarë mënyre kjo do të thoshte se drejtuesit e saj e kaluan në heshtje këtë propozim të ish- presidentit.

Ditët e fundit ndërkohë po qarkullon gjithnjë e më tepër lajmi se Shefqet Kastrati, presidenti i firmës së karburanteve “Kastrati”, do të merrte përsipër sponsorizimin e Vllaznisë. Në fakt edhe ky lajm nuk konfirmohet nga ana e drejtuevse të Bashkisë dhe atyre aktualë të klubit. Në kushte të tilla duket se Bashkia Shkodër ka ndër mend ta mbajë sërish vetë klubin dhe ta financojë atë edhe për vitin 2014 ndonëse financat e saj vitin e ardhshëm pritet të kenë tkurrje. Megjithatë deri në fund të janarit mund të ketë edhe lëvizje të tjera në këtë drejtim. E rëndësishme për momentin është se as Kastrati dhe as Fushaj nuk janë afër Vllaznisë.
www.shkodrasport.com