Faruk Kalleshi është vlerësuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi” I Komunës Berdicë. Ceremonia e dorëzimit të këtij titulli është zhvilluar pak dite me pare në ambjentet e komunës. Ka qenë kryetari Besnik Brahimi ai që ka vlerësuar rolin dhe kontributin e Kalleshit në sport por edhe si mësues në shkollën e Berdicës vite më parë. “Ne si Komunë po vazhdojmë punën për nderimin e figurave të shquara që kanë dhënë një kontribut për komunitetin e kësaj zone. Pas të madhit Agim Tafili që kemi nderuar më parë, menduam se edhe Faruk Kalleshi e meriton të jetë “Qytetar Nderi” i Berdicës për atë kontribut të dhënë në ndërtimin e terreneve sportive gjatë periudhës që ka qenë mësues këtu”. Në fjalën e tij, mjeshtri I peshëngritjes shqiptare Faruk kalleshi ka falenderuar Berdicën për vlerësimin e bërë por nga ana tjetër ka ngritur shqetësimin për mosnderimin nga Bashkia Shkodër. “Jam vërtetë i emocionuar jo se nuk kam tituj sepse më ka nderuar edhe Presidenti i Republikës por sepse Berdica u kujtua të më nderonte me këtë titull për atë kontribut që unë kam dhënë për këtë zonë si mësues. Berdica kësisoj bëri atë që se bëri qyteti im i lindjes- Shkodra, e cila nuk më ka dhënë asnjë titull të lartë, pavarësisht kontributit shumë të madh që kam patur në sport dhe sukseset e shumta që kam arritur”- ka thënë Kalleshi.Në këtë mënyrë, Komuna Berdicë, falë përkujdesjes së kryetarit Besnik Brahimi vazhdon nderimin e figurave të ndryshme që kanë dhënë për komunitetin e kësaj zone dhe pas Agim Tafilit, sot ishte rradha e Faruk Kalleshit për t’u nderuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi” I Komunës Berdicë.
www.shkodrasport.com