Duket se ambicjet e skuadrës së Kukësit nuk tregohen vetëm në letër, por edhe me hapa konkretë. Ajo është e para nga skuadrat e superiores që kërkon të lëvizë dhe të përforcohet në merkaton e janarit. Paraditen e sotme presidenti i kuksianëve, Safet Gjici, është ulur në tavolinën e bisedimeve me mesfushorin shkodran, Edon Hasani. Ky i fundit ka lënë Rumaninë dhe mesa duket do të jetë pjesë e nënkampionëve të Shqipërisë. Mësohet nga burime të sigurta të gazetës “Shkodra Sport”, se mes Gjicit dhe Hasanit është arritur një akord paraprak dhe firmosja e kontratës pritet që të realizohet në ditët e para të janarit. Në tavolinën e bisedimeve, përveç presidentit Safet Gjici dhe lojtarët në fjalë, ka qenë edhe drejtori teknik i Kukësit, Sulejman Starova dhe ish-drejtori ekzekutiv i Vllaznisë, Kujtim Shaba. Gjatë këtyre ditëve Edon Hasani ka patur kontakte edhe me Skënderbeun dhe Vllazninë, por siç duket Kukësi është treguar më i shpejtë, duke e bindur menjëherë shkodranin për të qenë pjesë e kësaj skuadre. Edon Hasani është një mesfushor me tipare sulmuese dhe që konsiderohet nga specialistët si një ndër mesfushorët me shumë të ardhme në futbollin shqiptar.
Mejdan ZHIVANI