Kastriot Rama hyn te grupi i futbollistëve që ka veshur fanellën e disa skuadrave gjatë karrierës së tij. Rama ka kontribuar si portier, por edhe si trajner portierësh. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ish-portieri i njohur matjan analizon ecurinë e Burrelit në këtë sezon.

“Fillimi i kampionatit u shoqërua me luhatje si në lojë ashtu dhe në rezultate, por gradualisht niveli i lojës erdhi duke u ngritur. Ardhja e trajnerit të ri ndikoi pozitivisht në ecurinë e Burrelit. Skuadra duhet të ishte pozicionuar më mirë në klasifikim. Hapat fals që ka bërë në disa ndeshje, sidomos në fushën tonë, sigurisht ka pasur ndikimin e saj negativ.

Pavarësisht ndonjë hapi të gabuar, loja e skuadrës, në përgjithësi ka qenë e mirë. Ndonjëherë është dhe fati përcaktues. E parë në këtë këndvështrim, Burreli duhet të kishte një pozicion më të mirë në renditje. Faza e tretë ka një fillim premtues. Fitorja e arritur në transfertën e Vlorës shërbeu pozitivisht. Ajo ndikoi dhe në arritjen e fitores ndaj Vorës. Skuadra në këto dy ndeshje ishte e disiplinuar taktikisht, ku tregoi grintë dhe besim te vetja. Janë dy elementë që ndikojnë në marrjen e rezultatit pozitiv. Vazhdimësia?

Në përgjithësi, ndeshjet e fazës së tretë janë të vështira. Tani jemi në fazën ku çdo llogari bëhet me laps e letër. Një fitore të katapulton lart, ndërsa një humbje të zbret poshtë. Jam optimist se skuadra e Burrelit do të dijë ta thotë mirë fjalën e saj. Ajo e ka treguar veten se dhe ndaj të mëdhenjve ka ditur të fitojë jo vetëm në fushën e vet, por dhe jashtë saj.

Shpresoj që një gjë të tillë ta bëjë realitet dhe në ndeshjen e radhës ndaj Bylisit. Duhet përqendrim dhe çdo ndeshje duhet të konsiderohet si finale në vete. Çdo hap fals i kushton dhe e kundërta të jep shtysë për të arritur një pozicion më të mirë në renditje”, u shpreh ish-portieri Kastriot Rama.