Martin Prenkoçeviç është afrimi më i fundit i Kastriotit në merkaton e verës. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se dje në mbrëmje qendërmbrojtësi shqiptar nga Mali i Zi ka mbërritur në Krujë dhe ka firmosur zyrtarisht kontratën.
Bëhet fjalë për një 23-vjeçar që në sezonin e fundit ka qenë pjesë e elitës së futbollit malazez me klubin Rudar Pljevlja.
Prenkoçeviç është aktivizuar në kampionatin e kaluar në 30 ndeshje, ku në 14 prej të cilave ka qenë titullar. Gjasat janë që sot mbrojtësi të bëjë debutimin e tij me Kastriotin në testin ndaj Dinamos.
Ndërkohë, krutanët janë njëra nga ato skuadra që e kanë ruajtur boshtin. Ndonëse kanë pasur disa largime, vetëm dy prej lojtarëve kanë qenë titullarë stabël, siç ishte kapiteni Neziri dhe sulmuesi Kaina.
Në majën e sulmit, stafi teknik vijon të këmbëngulë për një lojtar. Aktualisht janë dy që luajnë në atë pozicion, Santiago Selmani dhe Spartak Ajazi, por krutanët vijojnë të jenë në kërkim të një tjetër qendërsulmuesi.