Kastrioti është një nga skuadrat që është ndërtuar nga e para. Pafundësisht largime, ndërsa afrimet për momentin kanë qenë të pakta. Gjithsesi, te krutanët nuk kanë frikë.

Aq më tepër Ramazan Ndreu. Trajneri për gazetën është shprehur qartë një ditë më parë se paratë nuk ndryshojnë asnjë. Është fusha që vendos. “Janë ngjitur skuadra të mira dhe me buxhet të lartë. Nuk është buxheti që tregon realisht nivelin e skuadrës, por kanë buxhet.

Edhe sivjet ne duke përmirësuar ato gabime që bëmë vitin që shkoi, them se do të jemi skuadër që do të rivalizojmë shumë”, thotë Ndreu.

DILEMA – Që prej përfundimit të sezonit, Kastrioti ka pasur vetëm largime dhe disa prej tyre kanë qenë me peshë, pasi në sezonin e shkuar ishin titullarë absolutë. Megjithatë, mund të ketë të tjerë që do të largohen, disa se u përfundon kontrata apo dhe ndonjëri që do të shitet nga klubi.

Lojtari që aktualisht ka më shumë oferta në klub, është braziliani Devid de Silva, për të cilin bëhet me dije që janë tri klube të Superiores që kanë shfaqur interes, por dhe një klub jashtë vendit.

Saktësisht nga Shqipëria janë Teuta, Kukësi dhe Tirana, tri ekipet që kanë shfaqur interes për sulmuesin, por në klub ende nuk i kanë shqyrtuar me detaje këto oferta.

Sa i takon klubit jashtë vendit, emri i tij ende nuk është bërë i ditur, por kompania që menaxhon lojtarin duket se është duke bërë përpjekjet për t’i mundësuar Kastriotit shitjen e De Silvës në një kampionat më të fortë, me shumë mundësi në Rumani. Gjithsesi, në ditët në vijim do të mësohet diçka më tepër.