Sezonin e fundit tek Vllaznia firmosën dhe luajtën plot 9 futbollistë “jabanxhinj” dhe në fakt, nisur nga paraqitjet e tyre, vetëm pak kanë lënë gjurmë. Të tjerët kanë dalë “skarco” dhe stafi teknik por edhe drejtuesit e klubit kanë marrë jo pak kosto nga tifozët për këtë gjë. Sivjet duket se gjërat do të bëhen më ndryshe. Pikësynimi i njerëzve që do të merren me merkaton e kësaj skuadre, kanë ndër mend të shohin mundësinë që të bëjnë vetëm pak blerje cilësore të lojtarëve “jabanxhinj” pasi pjesa tjetër do të mbushet me futbollistë shkodranë.

Këtë e ka zbuluar vetë trajneri Armando Cungu kur është shprehur: “Vllaznia në fakt nuk duhet të ketë shumë nevojë për të marrë lojtarë nga jashtë Shkodrës. Maksimumi i tyre duhet të jetë tre, por ata duhet të bëjnë diferencën. Pjesa tjetër do mbushet me djemtë e rinj shkodranë. Padyshim që do të hedhim sytë edhe nga Akademia për të ofruar në ekip lojtarët me të dhënat më të mira dhe që në fakt nuk mungojnë. Natyrisht pa lënë mënjanë edhe rikthimin e ndonjë shkodrani që luan me ekipet e tjera. Këto janë plane por shpeshherë edhe nuk realizohen, për një arsye apo për një tjetër”. E sigurtë është që skuadra do marrë një kompozim të ri në prag të sezonit të ri futbollistik. Drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i besojnë më shumë futbollistëve shkodranë që sakrifikuan jo pak edhe në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës dhe treguan se e meritojnë ta veshin më shumë se çdokush tjetër fanellën e Vllaznisë. Ata që pritet të vijnë nga jashtë Shkodre, nuk mendohet të jenë më shumë sesa tre por ka një enigëm se kush do të jenë ata.

© shkodrasport.com