Të enjten në orën 17.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit do të luhet ndeshja finale e kampionatit të futsallës për sezonin 2016-2017. Atë do të diskutojnë Vllaznia e Shkodrës dhe Flamurtari i Vlorës. Të dy këto ekipe kanë triumfuar në gjysmëfinale ndaj kundërshtarëve të tyre, pikërisht shkodranët ndaj Edro Vlorës me rezultatin 7-3 ndërsa vlonjatët kanë mundur me penallti kampionët në fuqi të vendit, Tiranën.

Finalja sigurisht që pritet me interes. Në kampin kuqeblu ka besim për arritjen e këtij suksesi, që do të ishte edhe i pari për Vllazninë në gjithë historinë e kampionateve të futsallës në vendin tonë. Megjithatë nuk do të jetë e lehtë sepse përballë do të kenë një ekip të përgatitur siç është Flamurtari i cili në fakt e ka provuar edhe më përpara të shpallet kampion. Nga ana tjetër, interesant është fakti se pjesë e skuadrës vlonjate janë edhe dy futbollistë shkodranë. Bëhet fjalë për Admir Mehjen dhe Semir Gogajn. Ata janë bashkuar me këtë ekip në prag të ndeshjeve të fazës së dytë të kampionatit dhe padyshim që konsiderohen pika të forta të Flamurtarit. Kjo gjithsesi nuk e vë në dyshim dëshirën e kuqebluve të trajnerit Celufaj për ta fituar këtë trofe. Gjithsesi do të jetë parketi i “Asllan Rusit” pasditen e së enjtes ai që do të vendosë për këtë gjë.

© shkodrasport.com