Dëmtimi i pësuar nga kampioni i Europës Izmir Smajlaj në garat e kampionatit kombëtar që u zhvilluan javën e kaluar në Elbasan, për fatin e mirë nuk ka qenë i rëndë. Një tërheqje muskulare në pjesën e përparme të kofshës së djathtë, për momentin e ka lënë disa ditë pushim megjithatë atleti i mirënjohur nuk ka qëndruar krejt pasiv.

Duke punuar në palestër, ai është munduar të ruajë formën fizike sepse duhet të jetë sërish në pedanën e kërcimit pas pak ditësh. Bëhet fjalë për Kupën e Europës për vendet e vogla që do të zhvillohet më 24 qershor në Maltë. Trajneri Vildan Tufi në një prononcim për “SHKODRA SPORT” shpjegon situatën e sportistit të tij kur thotë: “Për fatin e mirë, ai dëmtim që pësoi në Elbasan nuk rezultoi problematik. Një tërheqje e lehtë muskulare dhe disa ditë pushim, kjo ishte diagnoza e mjekëve specialistë. Një dëmtim që erdhi në një moment jo të mirë sepse në garat e kampionatit kombëtar isha i bindur se ai do ta thyente sërish rekordin kombëtar. Nëse në hedhjen e parë kërceu 7.98 m, në hedhjen e dytë kur dhe u dëmtua, isha i bindur se do kishte rekord sepse të gjitha të dhënat ishin për një gjë të tillë. Megjithatë, e rëndësishme është që ai po i mban rezultatet e tij në nivele të larta dhe në garat e Maltës padyshim që do të tentojmë sërish medalje dhe rekord të ri”. Ky tashmë është realiteti. Izmir Smajlaj “na ka mësuar keq”. Pas titullit kampion Ballkani dhe Europe, padyshim që në çdo garë ku ai konkurron tashmë presim gjëra të mëdha. Dhe premisat janë që të ndodh kështu sepse 24 vjeçari i ka të gjitha parametrat për të shkruar historinë e atletikës shqiptare.

© shkodrasport.com