Te Kastrioti ka nisur puna seriozisht për skuadrën që do të përfaqësojë Krujën në elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm. Superiorja kërkon një tjetër nivel dhe për këtë drejtuesit krutanë janë vënë në lëvizje për ta përforcuar grupin aktual me elementët e nevojshëm. Hapi i parë që pritet nga klubi krutan ka të bëjë me rinovimet e kontratave, pasi aktualisht janë një numër i konsiderueshëm lojtarësh pa kontratë.

Por jo të gjithëve do t’u ofrohet rinovimi, disa do të lihen të lirë për t’u zëvendësuar me lojtarë që do të vijnë në skuadrën e trajnerit Ramazan Ndreu si përforcime. Deri më tani ka pasur negociata me mbrojtësin Ditmar Bicaj, si dhe ka një akord paraprak me portierin Amarildo Çekrezi e po ashtu me ish-sulmuesin e Bylisit, Guindo.

Gjithsesi, ata nuk mund të quhen ende lojtarë të Kastriotit. Do të ketë edhe një tjetër takim mes palëve, ku do të diskutohen detajet dhe do të vendoset përfundimisht për firmat e para në kontratë. Krahas tyre, në listën e dëshirave të krutanëve janë edhe disa ish-lojtarë të Kastriotit të sezonit të fundit në Superiore.

Gazeta mëson se Herald Marku dhe Dajan Shehi, të dy pjesë e Vllaznisë sezonin e fundit, janë dy më të preferuarit e krutanëve. Sa u takon përgatitjeve, Kastrioti do të zbresë në fushë më 10 gusht. Stërvitja do të zhvillohet për një javë në qytetin e Krujës dhe më pas për dy javë skuadra mendohet të zhvendoset në Ohër. Nëse nuk do të jetë i mundur akomodimi në vendin fqinj, atëherë këto dy javë stërvitje do të bëhen në Pogradec.