Kastrioti mbijetoi këtë sezon në Superiore pas një pjese të dytë të kampionatit fantastike. Me ardhjen e Emiljano Çelës në stol, skuadra bëri një gjysmësezoni perfekt, duke siguruar matematikisht elitën disa javë përpara fundit të sezonit.
Ndonëse të gjitha ndeshjet i luajti larg Krujës, Kastrioti bëri mirë, por nuk arriti që të ndiente atë ngrohtësinë dhe mbështetjen që kanë ekipet vendëse.
Kjo, për faktin se prej tri sezonesh krutanët luajnë në Kamzë. Gjithsesi, në mbyllje të këtij kampionati, trajneri Emiljano Çela deklaroi se dëshiron të vazhdojë projektin, por që natyrisht duke arritur gjuhën e përbashkët me drejtuesit sa u përket kërkesave që ai ka për ekipin e sezonit të ri. Çela kërkon që të ruhet grupi dhe klubi të nxitojë për të bindur edhe lojtarët që janë pa kontratë.
Për momentin emra si Kaina, Zetuna apo Okebugu, shihen larg Kastriotit, por megjithatë, e rëndësishme është që boshti i skuadrës të rikonfirmohet e më pas të bëhen ndërhyrje në pozicionet ku është e nevojshme.
Aktualisht ekipi vijon pushimet dhe ende nuk ka një datë fikse se kur do të nisin përgatitjet. Drejtuesit po shikojnë këtë periudhë në tregun kosovar dhe atë maqedonas për të peshkuar ndonjë element që mund të vlejë.