Kastrioti do të zhvillojë sot testin e dytë të kësaj faze përgatitore, pikërisht ndaj Dinamos, që këtë sezon do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë.

Miqësorja do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, aty ku prej dy javësh skuadra krutane po zhvillon edhe stërvitjet.

Kjo ndeshje do t’i shërbejë trajnerit Emiljano Çela për të parë lojtarët që kanë ardhur në provë, në mënyrë që më pas të marrë një vendim përfundimtar për ta.

Pas ndeshjes së parë miqësore kundër Tërbunit, që përfundoi 1-1, Çela mbeti i pakënaqur nga shumica e lojtarëve të rinj, që po testohen te Kastrioti.

Ndërkohë, klubi krutan, pasi zyrtarizoi mbrojtësin serb, Millosh Stojanoviç, pritet që në ditët në vijim të plotësojë grupin me lojtarë të tjerë.

Një sulmues cilësor është në planet e drejtuesve dhe gjasat janë të jetë afrimi i radhës, gjithmonë nëse do të arrihet akordi. Në klub preferojnë që pa u bërë gjërat konkrete, të mos zbulojnë emra.

Gjithsesi, “Panorama Sport” mëson se po negociohet me një sulmues brazilian./PANORAMA-SPORT/