Vllaznia do të luajë ditën e nesërme në orën 13:00 në Kamëz ndaj Kastriotit ndeshjen e parafundit të këtij viti, ku padyshim që do të kërkojë fitoren, për të vijuar pastaj deri në fund drejt synimeve të saj.
Ndërkohë, sa i takon statistikave, në fazën e parë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, të besuarit e Josës mposhtën Kastriotin me një gol të Ardit Hoxhajn, me ndeshjen që në fund u mbyll me rezultatin e ngushtë 1-0 për Vllazninë.
Në fakt, Vllaznia ka treguar se ka ditur të mposhtë Kastriotin, edhe atëherë kur kjo e fundit ka qenë në formën më të mirë dhe sidomos në shtëpinë e saj, aty ku kuqeblutë njohin vetëm fitore.
Realisht, Kastrioti cilësohet si një skuadër fushe, por statistikat thonë që Vllaznia ka qenë totalisht dominuese në katër ndeshjet e fundit në transfertë dhe njohin vetëm fitore me krutanët.
Megjithatë, pavarësisht një diçkaje të tillë, do të jetë fusha e lojës ajo që do të masë forcën reale të të dy ekipeve ditën e nesërme, duke nisur nga ora 13:00 në Kamëz, e cila për të dy skuadrat do të jetë ndeshja e parafundit e këtij viti.
Maringlen ZHIVANI