Sot luhet java e parafundit e Kategorisë Superiore. Kështu, në Laç, Tirana luan ndeshjen e saj të parë si kampione përballë vendasve të Laçit.

Bardheblutë e trajnerit Emanuel Egbo kanë luksin të bëjnë rotacion në mënyrë që të kenë sa më të gatshëm futbollistët e formacionit të parë për finalen e Kupës ndaj Teutës. Ndërkaq, vendasit janë shumë pranë arritjes së objektivit Europë.

Ndërkohë, në kryeqytet do të luhet një ndeshje si finale teksa Partizani pret Vllazninë. Shkodranët pas suksesit me Kukësin, tashmë kërkojnë të shmangin zonën play-off ku gjenden aktualisht dhe për këtë iu duhet një trepikësh ndaj të kuqve.

Megjithatë, nga ana e saj, Partizani nuk mund t’ia lejoj vetës një disfatë, pasi në javën e fundit të Superiores do ta shihte veten në garën për të shmnagur play-off.

Sakaq, Kukësi, pret në Elbasan, Skënderbeun. Verilindorët janë të relaksuar duke qenë se sezoni i tyre mund të quhet i përfunduar, ndërsa nga ana tjetër edhe pse kanë pak shpresa, korçarët vazhdojnë të besojnë te kualifikimi në Europë.

Në ndeshjet e tjera, Bylisi duhet të bëjë detyrën në shtëpi përballë Luftëtarit, për të ruajtur distancën me Vllazninë e vendit të tetë. Ndërsa, Teuta udhëton në Vlorë për të luajtur ndaj Flamurtarit. Edhe durrësakëve iu duhen pikët për të siguruar Europën. /VipSport/

Ndeshjet:

17:45 Laçi-Tirana

17:45 Flamurtari-Teuta

17:45 Bylis-Luftëtari

17:45 Partizani-Vllaznia

20:45 Kukësi-Skënderbeu