Barazimi në Gjirokastër kishte vlera të mëdha për Vllazninë, si në planin e pikëve, ashtu edhe në atë moral, pas ngjarjes së shëmtuar me trajnerin Ernest Gjoka javën e shkuar.

Skuadra kuqeblu, e ndihmuar edhe nga fati ndaj Luftëtarit, ka një ecuri mjaft të mirë në fazën e tretë të kampionatit, me 7 pikë në 3 ndeshje, pas fitoreve me Lushnjën dhe Teutën dhe barazimit ndaj Luftëtarit.

Shkodranët janë 4 pikë larg zonë së ftohtë, një diferencë pikësh që i bën më të qetë, por asgjë nuk ka përfunduar.

Vetëm pas dy ditësh Vllaznia luan në fushën e Laçit, ku duhet të vazhdojë me rezultatet pozitive.

Skuadra gëzon një formë të mirë dhe trajneri Gjoka shpreson të ketë gati të mërkurën edhe lojtarët me probleme fizike që munguan me Luftëtarin, Pjeshka, Bardulla dhe Marku.

Në tri ndeshjet e fundit Vllaznia nuk ka pësuar gol dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për një ekip që lufton për mbijetesë.

Mbrojtja tashmë duket e stabilizuar me dyshen Malota-Berisha në qendër, ndërkohë që një formë të mirë po tregon edhe portieri Sherri. Trajneri Gjoka kishte të drejtë kur thoshte se mbrojtja është themeli i një skuadre.

Nëse shkodranët ia dalin të mos pësojnë edhe në Laç dhe të marrin të paktën një pikë, atëherë Vllaznia kalon një tjetër provë të vështirë, që rrit shanset e mbijetesës. /Vipsport/