Dy nga çmimet kryesore të mbrëmjes gala të FSHF ishin edhe “Këpuca e Artë 2022” për vajza dhe djem, trofe që jepet për golashënuesit më të mirë të vitit. Trofe që nuk kishin nevojë në fakt për votim, pasi ishin përcaktuar me gjuhën e golave të dy prej protagonistëve të vitit të kaluar.

Këpuca e Artë 2022 për djem i ka shkuar sulmuesit të Laçit, Saliou Guindo, i cili e mbylli sezonin e kaluar në kuotën e 19 golave, duke e siguruar kështu çmimin e golashënuesit me të mirë.

Për t’i dorëzuar trofeun sulmuesit në skenë është ftuar një personazh i veçantë, ish-kampioni i Botës dhe i Europës me Francën, Kristian Karembë, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh:

“Dua t’u përgëzoj të gjithëve për këtë organizim, gjithashtu gjithë futbollistët, gjyqtarët. Dua të falënderoj presidentin Duka për politikën dhe strategjinë që po ndjek me të rinjtë. Trajnerit të ri Silvinjo dhe stafit të tij dua t’u dhuroj suksese dhe sa më shumë fat”.

Më pas Karembë i dorëzuar trofeun Guindos, i cili nga ana e tij ka falënderuar të gjithë të pranishmit për mbështetjen.