Dy ditë më parë, një deklaratë në media e nënkryetares së Bashkisë Shkodër zj.Emilia Koliqi, ka trazuar jo pak gjëra. Ajo në prononcimin e saj ka folur për procesin e privatizimit të KF Vllaznia duke përmendur edhe muajin prill si më të përshtatshmin për mbylljen e këtij procesi. Ajo gjithashtu ka përmendur faktin se janë dy operatorë ekonomikë që po paraqesin dokumentacionin për të bërë vlerësimin e kësaj shoqërie.

Kjo deklaratë e saj në fakt është keqkuptuar në media. Diku u nxituan duke thënë se “Bashkia Shkodër i bën “presion” Fushajt” ngaqë gjoja doli edhe kandidatura e dytë për ta blerë klubin. Diku tjetër përcaktohen rivalët. Por në fakt nuk është as njëra dhe as tjetra. Aktualisht ky proces është duke në fazën e vlerësimit të aseteve të Vllaznisë. Për këtë arsye, janë dy operatorë ekonomikë që po konkurrojnë për ta fituar këtë të drejtë. Ky është hapi i parë.

Aktualisht nuk bëhet fjalë as për Fushaj dhe as për ndonjë biznes tjetër që ka shprehur interesin për të blerë Vllaznisë sepse nuk është hapur ankandi. Pas përfundimit të vlerësimit, do të kalojë çështja në Këshillin Bashkiak ku do të përcaktohet përqindja e aksioneve që do të shiten dhe më pas çështja do të shkojë në Ministri, institucion që do të hapë ankandin. Pra, për momentin nuk ka biznese që kanë shprehur interesin për blerjen e Vllaznisë sepse procesi ende nuk ka nisur.
© shkodrasport.com