Antonio Cassano ka sulmuar ashpër Massimiliano Allegrin pas shkarkimit të tij nga Milani, duke deklaruar se trajneri livornez “ka mashtruar futbollin italian” dhe se karriera e tij në nivelet e larta mund të ketë marrë fund.
Allegri u shkarkua zyrtarisht nga Milani së bashku me Igli Taren, Giorgio Furlanin dhe Geoffrey Moncada-n, ndërsa tani Gerry Cardinale dhe Zlatan Ibrahimović do të duhet të rindërtojnë të gjithë strukturën sportive dhe drejtuese të klubit kuqezi.
Gjatë emisionit ‘Viva El Futbol’, Cassano analizoi sezonin katastrofik të Milanit dhe fajësoi drejtpërdrejt Allegrin për dështimin.
“Po flasim për një trajner që tashmë e ka kohën të numëruar për të vazhduar të trajnojë. Nëse do të ketë ndonjë mundësi tjetër, ose do të shkojë në Arabinë Saudite për të fituar para, ose ndoshta do të drejtojë ndonjë skuadër që lufton për mbijetesë apo maksimumi për vendin e dhjetë”, deklaroi Cassano.
Ish-sulmuesi italian shtoi se futbolli modern ka ndryshuar, ndërsa Allegri ka mbetur pas në kohë.
“Loja ka marrë tjetër drejtim dhe ai nuk është zhvilluar kurrë. Me kampionët fitonte, sot nuk fiton më. Ka mbetur te futbolli i dhjetë viteve më parë”, u shpreh ai.
Cassano theksoi gjithashtu se Allegri ka ditur të “shesë veten” shumë mirë te mediet dhe lojtarët, por sipas tij njerëzit tashmë e kanë kuptuar realitetin.
“Ai me dinakërinë e tij arriti të mashtronte futbollin italian, por tani njerëzit në Itali nuk janë më budallenj. Për Kombëtaren kapitulli është mbyllur, nuk mund të shkojë atje. Edhe te Napoli është e njëjta histori”, deklaroi Cassano, duke iu referuar zërave të fundit që lidhin Allegrin me Napoli.
Sipas Cassanos, dështimi te Milani tregoi qartë limitet e trajnerit.
“Te Milani nuk arriti as objektivin minimal. Është fundi i lojës. Ai është i papërshtatshëm, e ka dëmtuar Milanin dhe ka mbetur një nga njerëzit e fundit që po shkatërron futbollin italian”, përfundoi ish-futbollisti italian.


