Shkruar nga Gjergj KOLA
Paraqitja e mirë në ndeshjen e fundit ndaj Hibernian, ka bërë që sulmuesi shkodran i Heearts Sabah Kerjota përveç trofeut të “Lojtarit të ndeshjes” të zgjidhet edhe në formacionin më të mirë të javës së 34-të të “Scotrish Premiership”. Ai vërtetë luajti në 45 minutat e dyta të kësaj ndeshje, por ishte protagonist në të dy golat e skuadrës së tij duke i dhënë një fitore shumë të vlefshme në garën drejt titullit kampion.
“Epërsia e Hearts në krye të William Hill Premiership është rikthyer në tre pikë, pasi ata më në fund arritën të kapërcenin një performancë të guximshme nga Hibs me nëntë lojtarë në derbin e Edinburgut. Arsyeja e kthesës në fitoren 2-1 ishte ndikimi i Kerjotës nga stoli, pasi shqiptari krijoi të dy golat për djemtë e Derek McInnes”- shkruhet në komentin e faqes zyrtare të Federatës duke bërë kështu edhe një përshkrim të secilit prej pjestarëve në formacionin e javës.
Ish- futbollisti i Akademisë Vllaznia në këtë mënyrë ndonëse me pak vonesë, po shfaqet si protagonist me talentin e tij për ekipin Hearts i cili kryeson me meritë kampionatin skocez të futbollit dhe është vetëm vetëm katë javë larg titullit kampion. Ai udhëheq me tre pikë nga Celtic dhe shanset janë të mëdha të kurorëzohen me sukses.
Ky padyshim që do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm edhe për Sabah Kerjotën i cili sezon e kaluar u shpall kampion në Seria D në Itali me SamBenedettese dhe verën e shkuar u transferua në Skoci ku mund të shpallet sërish kampion me Hearts.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


