Ishim mësuar për një vit e gjysëm që në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak Shkodër të kishte debate dhe polemika të mëdha për sportin dhe në veçanti për futbolli. Këtë herë ka qenë ndryshe. Në mbledhjen e djeshme të këtij nuk ka patur asgjë të tillë. Në fakt edhe në pikat e rendit të ditës, me përjashtim të një pike që bënte fjalë për një rikalim të një fondi për Memorialin Ndërkombëtar të Boksit në llogarisë e shoqatës së boksit, nuk ka patur asnjë pikë tjetër ku është folur për sportin. Në fakt na munguan debatet për futbollin.


Ishim mësuar keq. Kishim dëgjuar polemika të llojeve të ndryshme, kishim dëgjuar akuza e kundërakuza, fjalë për shpërdorim fondesh dhe gjëra të tilla. Por kalimi i klubit Vllaznia në fund të janarit në një formë tjetër administrimi bashkë me biznesmenin Agron Çela, ka mbyllur çdo polemikë për momentin dhe gjërat duket se po shkojnë mirë. Në Këshillin Bashkiak tashmë është folur vetëm për rrugë, ndihmë sociale dhe miratime projektesh dhe dhënie titujsh. Nuk ka patur asgjë tjetër. Në fakt, debati për futbollin u mungon disa prej këshilltarëve. Ata filluan të bëheshin protagonistë nga mbledhja në mbledhje me diskutimet e tyre, herë me vend dhe herë pa vend por duket se debatet kanë për t’u kthyer shpejt. Në mbledhjen e fundit të marsit, por me shumë mundësi në atë të prillit, do të raportet bilanci financiar i klubit Vllaznia për vitin 2012 dhe sigurisht që aty do ketë vend për debate dhe polemika.
www.shkodrasport.com