Presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, është i bindur se skuadra do rikthehet te fitorja në takimin e nesërm në Fier. Kreu i klubit shkodran e lidh suksesin e ndeshjes me objektivin final që ka skuadra këtë sezon. Në intervistën e tij për gazeten, Çela anashkalon humbjen me Luftëtarin. Ai shpreh besimin e plotë te futbollistët se do të bëjnë kthesën këtë javë. Për Çelën, rivaliteti për një vend në katërshen e parë të kampionatit është i madh. Megjithatë, ai është i bindur për renditjen e kuqebluve mes katër skuadrave më të mira në fund të sezonit.

E keni kaluar tashmë humbjen me Luftëtarin?
Natyrisht që në fillim nuk e përjetova mirë, pasi shihja shumë optimizëm te kjo skuadër dhe kisha edhe vetë tepër besim tek arritja e maksimumit në këtë përballje. Megjithatë, futbollistëve dhe stafit u kam kërkuar që ajo që iku të mos mendohet më, por të përqendrohemi te takimi i radhës.
Një përballje e lehtë në letër ndaj Apolonisë, si e vlerëson Çela ndeshjen në Fier?
E pamë se nuk ka përballje të lehta. Nëse mendojmë kështu kemi gabuar madje rëndë. Unë them se ekipi do t’i ketë nxjerrë mësimet pas humbjes me Luftëtarin dhe tani ka hedhur pas edhe atë shenjë nënvlerësimi që mund të kenë pasur. Këtë kam besimin e plotë se nuk do ta tregojë në takimin e Fierit ndaj Apolonisë.
Keni bindje se skuadra do të rikthehet te fitorja?
Jam optimist në maksimum për një gjë të tillë. Unë gjithmonë besoj edhe pse këtë herë kam bindjen dhe shoh se, pas humbjes me Luftëtarin, lojtarët janë më të motivuar dhe do të tregojnë ato vlerat që shfaqën në dy takimet e para. Unë e them me plot gojë se, nëse djemtë tregojnë atë shpirt gare si në dy takimet e para të fazës së dytë, ne do të marrim tri pikë në përballjen e kësaj fundjave.
E shikoni rezultatin e takimit me Apoloninë si një faktor për arritjen e objektivit që keni këtë sezon, përfshirjen e Vllaznisë në katërshen e parë të kampionatit?
Natyrisht që çdo takim ka vlerat e veta. Tri pikët janë njëlloj si me Apoloninë, ashtu edhe me Skënderbeun. Ne do të luftojmë në çdo sfidë për të marrë maksimumin e pikëve. Këtë besim që ka skuadra dhe drejtuesit e saj, po e përcjellin tek të gjithë. Unë jam i bindur, ndërsa e theksoj edhe njëherë se shkojmë për të fituar në Fier, pasi kjo do na ndihmojë të arrijmë objektivin që kemi: përfshirjen në katër më të mirat.
Pra ju jeni shumë optimist në këtë drejtim, për një fitore dhe futjen në katër më të mirat në fund të sezonit?
Absulutisht që po.
Së fundmi cilën shikoni si skuadrat favorite për të qenë në katër më të mirat?
Është një grup ekipesh, ndërsa nuk di të bëj dallime, me përjashtim të Skënderbeut. Lufta do të jetë e fortë mes këtyre skuadrave, porse kam besim se Vllaznia do të jetë mes tyre. Ka ende shumë ndeshje deri në fund, të cilat duhet t’i marrim të gjitha një nga një dhe t’i vlerësojmë maksimalisht, duke nisur nga sfida e së dielës.

Admir URUÇI