Java e tetë e kampionateve të moshave ka dhuruar një fitore dhe një humbje për dy ekipet e Akademisë Shkodra, U-17 dhe U-13. Kështu, Shkodra U-17 ka mundur në Shtoj të Ri ekipin e Shënkollit me rezultatin e thellë, 5-1. Fillimisht, do të ishte Shënkolli që do të shënonte golin e parë të ndeshjes në minutën e 27-të.

Megjithatë, vetëm kaq, pasi Shkodra U-17 reagoi dhe përmbysi rezultatin në 2-1, falë golave të Metit dhe Ymerajt. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat. Ndërkohë në pjesën e dytë, shkodranët tentojnë të shënojnë sërish dhe ia arrijnë qëllimit, pasi vijnë edhe tre gola të tjerë nga Taramani, Gëlqerja dhe Gjylbegaj.

Rezultati do të fiksohej në 5-1 dhe me gjithë përpjekjen e të dy ekipeve deri në fund, nuk pati më ndryshime të tjera, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej në shifrat 5-1 për Shkodra U-17. Me këtë fitore, ajo është ngjitur në kuotën e 16-pikëve, duke mbajtur vendin e tretë në renditje, po aq sa edhe Shkëndija e Tiranës, që renditet në vendin e dytë, po me 16-pikë, por me dy ndeshje më pak.

Ndërkohë, Shkodra U-13 është mundur në Shtoj të Ri nga Shënkolli me rezultatin 2-4. Sa i takon ndeshjes, Shënkolli do të shënonte dy gola në pjesën e parë, duke e bërë të pavlefshëm golin e Vajushit. Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 1-2 për Shënkollin. Në të dytën, u prit një reagim i Shkodra U-13, por Shënkolli shënoi edhe dy gola të tjerë, duke e bërë të pavlefshëm sërish golin e ekipit shkodran, me anë të futbollistit Amarildo Prendi.

Deri në fund, nuk do të kishte gola të tjerë, teksa pavarësisht kësaj, shkodranët kanë tentuar të shënojnë sërish qoftë edhe një gol, por nuk ia kanë dalë. Me gjithë përpjekjen e të dy ekipeve deri në fund, nuk pati ndryshim të rezultatit, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej në shifrat 2-4 për Shënkollin.

Me këtë humbje, Shkodra U-13 mbetet në kuotën e tetë pikëve, duke mbajtur vendin e nëntë në renditje, po aq sa edhe Juventus Academy Tirana, që renditet në vendin e tetë, po me tetë pikë. /Maringlen ZHIVANI/


U-17: Shkodra-Shënkolli 5-1

Golat për Shkodra U-17: Meti 39’, Ymeraj 45’, Taramani 50’, Gëlqerja 75’, Gjylbegaj 81’

Formacioni i Shkodra U-17: Shkambaj, Mehja, Medha, Meti, Ymeraj, Bizi, Rrahi, Gjylbegaj, Gëlqerja, Taramani, Danaj (u aktivizuan: Dibra, Skuqaj, Lumaj) Tr: Semir Gogaj


U-13: Shkodra-Shënkolli 2-4

Golat për Shkodra U-13: Vajushi, A. Prendi

Formacioni i Shkodra U-13: Guri, Tafa, S. Prendi, A. Prendi, Vajushi, Narkaj, Çilaj, Osja, Canaj Tr: Khaled Hoxha