Bastian Shvajnshtaiger i ka rënë në “kokë” problemit te përfaqësuesja gjermane, pas asaj paraqitjeje të brishtë në krahasim me pritshmëritë e tyre në këtë turne madhor.

Kampioni i botës në 2014-ës, tashmë në rolin e ekspertit në “ARD”, nuk ngurroi të fliste hapur se e gjithë rrëmuja e shkaktuar ndaj Japonisë erdhi nga reparti difensiv:

“Zhgënjimi nuk mund të mos jetë prezent pas saj shfaqjeje të shëmtuar, aty ku mbrojtja ishte katastrofë. Shloterbek, Zyle dhe Rygider s’ishin në gjendje të realizonin pasa elementarë. Ky është detaj shumë i rëndësishëm për t’u analizuar me kujdes, aq më pak ku faktori kohë është i limituar.

Një nivel i tillë është i papranueshëm në turne si Kupa e Botës. Rivali i ardhshëm ka doza më të larta rrezikshmërie në çdo aspekt. Nëse nuk ka përmirësim apo zëvendësime në pozicione të caktuara, shanset përballë Spanjës janë 0”, përfundoi 38-vjeçari.