Maroku dhuron surprizën e ditës në Botëror, mposht 2-0 Belgjikën dhe ngjitet në krye të grupit E në kuotën e 4 pikëve. Golat e Sabirit dhe Aboukhlal në pjesën e dytë i ka dhënë tre pikë të arta skuadrës afrikane, që tashmë i afrohet kualifikimit në turin tjetër të turneut. Zhgënjen Belgjika, që pas kësaj disfate rrezikon eliminimin dhe duhet të luajë kualifikimin në ndeshjen e fundit të grupit përballë Kroacisë.
Belgjika nis më mirë takimin dhe i afrohet golit të avantazhit me Batshuayi. Maroku kundërpërgjigjet me Hakimin, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Belgët mundohen të dominojnë lojën, por në minutat shtesë të pjesës së parë janë afrikanët ata që zhbllokojnë sfidën me Ziyech, që kap në befasi Courtois, duke çuar topin në rrjetë nga një goditje dënimi. Pas verifikimit në VAR goli anulohet për një pozicion jashtë loje.
Me fillimin e pjesës së dytë Belgjika shfaqet rrezikshëm me Eden Hazard, por edhe marokenët i afrohen golit me Boufal. Rritet ritmi i lojës dhe të dyja skuadrat kërkojnë golin e fitores. I sapofuturi në fushë Sabiri arrin të zhbllokojë sfidën, duke kaluar në avantazh Marokun.
Belgjika mundohet të reagojë në minutat e mbetura, por nuk arrin që të ndryshojë fatin e kësaj sfide. Në minutat shtesë janë sërish marokenët që shënojnë me Aboukhlal, që realizon golin që vulos fatin e kësaj sfide.
Mbyllet me fitoren 2-0 të Marokut sfida në stadiumin “Al Thumama”. Afrikanët marrin një fitore të çmuar që i ngjit në kuotën e 4 pikëve dhe i afrohen shumë kualifikimit. Zhgënjen Belgjika, që tashmë duhet të vendosë kualifikimin në përballjen direkte kundër Kroacisë./Oversport/
Foto: FIFA World Cup Twitter