Joshua Kimish-Bajern Mynih me shumë gjasa po konsumojnë ditët e fundit të “bashkëjetesës” e ku “divorci” ka marrë trajtën e zgjedhjes më të mirë për të dyja palët. Për t’u ardhur në ndihmë si bavarezëve ashtu edhe mesfushorit kanë menduar dy Mançesterët.

TELEFONATA E PEPIT – Mjeshtri i raportimeve rreth transferimeve në tregun e futbollit, Fabricio Romano, ka pohuar se trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, ka telefonuar ditën e djeshme Kimishin, e ku arsyeja lidhet me mundësinë e ribashkimit, pas eksperiencës në Mynih, periudhë kur tekniku iberikas drejtonte gjigantët gjermanë. Më tej thuhet se Joshua ia ka bërë të qartë 52-vjeçarit se nuk ndihet i lumtur në klubin ekzistues. Pep, nga krahu tjetër, beson se lojtari në numër “6” në gjirin e Tuhelit ka ende potencial të bëjë diferencën dhe të drejtojë mesfushën e “qytetarëve”, duke nisur nga janari i vitit 2024.

MANOVRA E TEN HAGUT-Mançester Junajtid po përjeton fazën më të vështirë në dekadat e fundit, aty ku humbjet janë bërë pjesë “e zakonshme” në “menynë” e tyre. Erik ten Hag ka marrë me tepër goditje prej rezultateve të dobëta dhe në të tillë situatë “tulipani” e ka hedhur vështrimin drejt tregut. “Përçarja” mes Kimishit dhe Bajernit ka shërbyer si motiv që Ten Hag të hidhet në sulm. Ai e ka vendosur si objektivin numër “1” në merkaton e dimrit, ku do të rriste përvojën në mesfushë dhe kreativitetin në ndihmë të fazës ofensive. Zotërimi i klubit nga pronari i ri Sër Xhim Ratklif, nënkupton buxhet të konsiderueshëm që Erik mund të sjellë në “Old Trafford” Joshuan lehtësisht, megjithëse kampionët e Champions-it janë një hap para, shkak i marrëdhënies së ngushtë mes trajnerit dhe futbollistit.

KOSTOJA-Kontrata me kampionët e Bundesligës, Kimishit i skadon në verën e vitit 2025, ndërsa mediumi ekspert i “transfermarkt” e vlerëson në kuotën e 75 mln eurove. “Bild” ka evoluuar më tej, teksa prononcohet se Bajerni nuk ka ndërmend të lëshojë “regjisorin” gjerman pa 65 mln euro, pavarësisht rrethanave të ndërlikuara dhe rendimentit në rënie. Nëse u referohemi shpenzimeve nga Mançester Junajtid dhe Siti gjatë viteve të fundit, kostoja në fjalë nuk do të përbënte asnjë problem.