Tirana-Vllaznia padyshim që është kryesfida e futbollit shqiptar. Dy ekipet më të vjetra, dy ekipet që kanë prodhuar gjithmonë spektakël mes tyre. Duele të paharrueshme dhe dhjetëra tituj e tifozë të panumërt.

Tirana dhe Vllaznia gjithmonë kanë dalluar gjatë historisë së tyre edhe për prodhimin e futbollistëve.
Duke qenë në këtë mënyrë dy ekipet furnitore të kombëtares shqiptare.

Lojtarë të një klasi dhe potenciali të jashtëzakonshëm në thuajse 100 vite futboll në vendin tonë. Futbollistë që kanë ngelur në memorien e tifozëve, futbollistë të prodhuar nga Tirana dhe Vllaznia. Por sfida që luhet të shtunën në “Air Albania” vjen më e “varfër” se kurrë.

Kështu Tirana në formacionin titullar mund të krenohet vetëm me dy futbollistë të dalë nga akademia bardheblu. Dyshja mbrojtëse, Erjon Hoxhallari dhe Marsel Ismailgeci. Vllaznia nga ana e saj ka treshen Gurishta-Hakaj-Krymi që mbajnë lart krenarinë shkodrane. Një “klasike” që nuk është më “bio” siç ishte dikur.

Patjetër futbolli ka evouluar shumë dhe hyrjet e daljet e futbollistëve në ekipe të ndryshme janë shumë të shpeshta. Edhe ajo kënaqësia e dikurshme kur fanellat e dy skuadrave historike të futbollit i vishnin futbollistë të dalë nga ekipet zinxhirë duken shumë të largëta. Megjithatë bukuria e kësaj sfide nuk zbehet kurrë pavarësisht se kush do jetë në fushë për të përfaqësuar dy skuadrat.
Endri ÇINARI