Tirana-Vllaznia është kryendeshja e kësaj jave në kampionat. Klasikja e vendit vjen që në rikthimin e Superligës për vitin 2022. Dy skuadra që në vite kanë prodhuar duele shumë të bukura dhe të paharrueshme. Edhe kësaj rradhe pretendohet që ky duel të jetë po aq vendimtar dhe i bukur.

Në të dy krahët ka futbollistë që i njohin mirë ekipet që kanë përballë e madje i kanë shënuar në të shkuarën. Tek Tirana spikat Redon Xhixha. Sulmuesi laçian edhe në sfidën e parë shënoi kundër Vllaznisë, ku në të shkuarën i ka shënuar edhe me Laçin. Seferi dhe Muça po ashtu nga krahu i Tiranës kanë shënuar kundër Vllaznisë në të shkuarën.

Gjithashtu edhe Ngo’o ka gjetur rrugën e rrjetës kundër kuqebluve, por anglezi nuk do jetë i gatshëm për këtë sfidë për shkak dëmtimi. Vesel Limaj nga futbollistët e Tiranës ka shënuar kundër Vllaznisë, por kur ka mbajtur veshur fanellën e Kukësit.

Tek Vllaznia është kapiteni Gurishta i cili ka shënuar në portën bardheblu. Madje duke i dhënë fitoren e fundit në kryeqytet shkodranëve para 5 vitesh. Liridon Latifi e njeh portën kryeqytetase, por me fanellën e Skënderbeut. I njëjti diskutim edhe për A.Hoxhajn që ka shënuar kundër bardhebluve në periudhën kur përfaqësonte Flamurtarin.
Endri ÇINARI