Basketbollisti shkodran Klaudio Ndoja që prej vitesh jeton dhe luan në Itali, pasditen e sotme është nderuar me titullin e lartë “Naim Frashëri”. Ky titull i dhënë pak kohë më parë nga ish-Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, nuk i ishtë dorëzuar këtij basketbollisti për shkak të angazhimeve të tij me klubin aktual.

Por ndërkohë, ditët e fundit ai ka mbërritur në Shqipëri i angazhuar me kombëtaren tonë për ndeshjet e saj eliminatore dhe pikërisht për këtë arsye, kanë qenë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit ata që kanë menduar t’ia organizojnë një ceremoni speciale për dorëzimin e këtij titulli. Interesant është fakti se vetë lojtari ka preferuar që kjo ceremoni të zhvillohet në Shkodër, qytetin e tij të lindjes. Kanë marrë pjesë edhe drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Basketbollit, presidenti Avni Ponari dhe sekretari Korab Llazani dhe po ashtu ka qenë e pranishme edhe kryebashkiakja Voltana Ademi. Një vlerësim i tillë padyshim që e bën këtë sportist të ndihet edhe më mirë dhe në fakt, karriera e tij ka qenë mbresëlënëse prandaj është një shembull që duhet ndjekur edhe nga të tjerët.
© shkodrasport.com