“Shkëmbimi” i bujshëm mes Miralem Pjaniç dhe Arthur tashmë mund të quhet zyrtarisht i mbyllur.

Futbollisti boshnjak është transferuar te Barcelona, ndërkohë që mesfushori brazilian do të përfaqësojë Juventusin duke filluar nga sezoni i ardhshëm.

Ka qenë klubi katalanas që nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare të “Twitterit”, ka zbuluar detajet e marrëveshjes.

Pjaniç ka firmosur për 4 vite me blaugranasit, ndërkohë që ky transferim ka kushtuar 60 milionë euro + 5 milionë bonuse.

Edhe pse në moshë 30-vjeçare, Barcelona i ka vendosur një klauzolë të çmendur boshnjakut. Bëhet fjalë për plot 400 milionë euro.

Nëse dikush do të prishë kontratën e mesfushorit duhet të paguajë në arkat e klubit katalanas këtë shifër stratosferike.